Presidenti i 42-të amerikan, Bill Clinton, viziton Shqipërinë më 4 korrik. Clinton, një emër i dashur për shqiptarët, pas mbështetjes së tij për Kosovën gjatë luftës do të ketë takime me liderët kryesorë shqiptarë, teksa do të vizitojë dhe disa vende në Shqipëri.
Ndërkohë që vizita e Bill Clinton, njeriu që udhëhoqi fushatën bombarduese ndaj Serbisë ka një tjetër rëndësi në këto kohë tensionesh në veri të Kosovës. Vizita do të zhvillohet në vigjilje të Ditës së Pavarësisë së Amerikës, e cila daton më 4 Korrik.
Mësohet se ish-Presidenti Clinton do të mbërrijë në Shqipëri më 3 Korrik, pas një ftese të drejtuar nga Kryeministri Rama. Ai do të pritet nga kreu i qeverisë në një ceremoni zyrtare që do të organizohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më pas ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe Kryeministri do të kenë një deklaratë të përbashkët. Në axhendë është edhe një darkë mes tyre.
Ish-Presidentit Clinton gëzon një popullaritet të madh mes shqiptarëve, për shkak të mbështetjes së tij për Kosovën dhe udhëheqjes së fushatës së bombardimeve ndaj Serbisë. Vizita e tij përkon me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, ku si Prishtinës ashtu edhe Beogradit, komuniteti ndërkombëtar po u bëjnë thirrje të ndërmarrin hapa konkrete për qetësimin e gjendjes.
Megjithatë, nuk është e qartë nëse mbërritja e tij në Tiranë është e lidhur me këtë situatë, për zgjidhjen e së cilës Kryeministri Rama ka ndërmarrë disa nisma.
Kjo është vizita e parë e Presidentit të 42-të SHBA, në vendin tonë. Clinton do të ketë takime me liderët kryesorë shqiptarë, ndërsa do të vizitojë disa vende në Shqipëri. Ai shërbeu si President nga viti 1993 deri në vitin 2001 dhe njihet si miku më i madh i Kosovës. Clinton urdhëroi forcat e NATO-s që të ndërhyjnë ndaj forcave ushtarake dhe policore serbe gjatë vitit 1999, për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë televizive të pak ditëve më parë, Kryeministri Edi Rama foli për një dhuratë që priste nga SHBA më 4 korrik, që përkon me ditëlindjen e tij dhe me Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Deklarata ngriti hamendësime se dhurata mund të ishte liberalizimi i vizave për shqiptarët. Por, kur u pyet nga gazetarët në konferencën e fundit për shtyp në lidhje me këtë, Rama nuk dha detaje, por tha se dhurata që shpresonte mund të mos i kënaqë që të gjithë. Mësohet se dhurata që pret Kryeministri është një vizitë e ish-Presidentit të SHBA, Bill Clinton pikërisht më 4 korrik.
Vizita e një ish-Presidenti amerikan në Shqipëri dhe Kosovë merr gjithmonë rëndësi, kur dihet fuqia e tyre lobuese në Uashington. Por, vizita e Bill Clinton, njeriu që udhëhoqi fushatën bombarduese të Serbisë merr një tjetër rëndësi në këto kohë tensionesh në veri të Kosovës.