Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, njoftoi se presidenti amerikan Joe Biden është infektuar me COVID-19 dhe ka shfaqur simptoma të lehta.
“Këtë mëngjes, testi i Presidentit Biden për COVID-19 rezultoi pozitiv. Ai është plotësisht i vaksinuar dhe ka marrë dy doza mbështetëse, ndërsa ka shfaqur simptoma të lehta”, tha Jean-Pierre në një deklaratë me shkrim.
Duke thënë se Biden do të hyjë në karantinë në Shtëpinë e Bardhë dhe do të menaxhojë të gjitha punët e tij nga distanca, sipas udhëzimeve të Qendrave Amerikane për Sëmundje dhe Kontroll (CDC), Jean-Pierre deklaroi se ai do të marrë pjesë në takimet e sotme përmes aplikacionit Zoom ose telefonit.
Jean-Pierre njoftoi se Biden ka filluar trajtimin e tij me ilaçin “Paxlovid”.
Ajo theksoi se Shtëpia e Bardhë do të informojë çdo ditë për gjendjen shëndetësore të Biden-it, duke shtuar se në përputhje me protokollet, do të informohen gjithashtu të gjithë ata që kanë pasur kontakte të ngushta me presidentin amerikan.
Jean-Pierre njoftoi se Biden për herë të fundit është testuar të martën, më 19 korrik, dhe rezultati i këtij testi ishte negativ.
Burimi: AA