Presidenti amerikan, Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden uruan muslimanët në mbarë botën me rastin e Fitër Bajramit, që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Dita e parë e Bajramit bie të hënën për shumicën e shteteve me shumicë muslimane.

“Derisa muslimanët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën përfundojnë muajin e Ramazanit dhe festojnë Fitër Bajramin, Jill dhe unë shprehim urimet tona më të ngrohta për të gjithë ata që festojnë këtë rast të gëzueshëm”, tha Biden në një deklaratë

Presidenti amerikan tha se mban në mendimet e tij miliona njerëz të zhvendosur dhe refugjatë, duke shtuar: “Si komb, ne duhet të mbajmë gjithmonë besim me ata që kërkojnë një jetë më të mirë dhe të mbështesim angazhimin tonë për të shërbyer si një fener shprese për njerëzit e shtypur në të gjithë botën”.

“Dhe, siç muslimanët në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Bajramin, le të ripërtërijmë përkushtimin tonë ndaj angazhimit themelor për respektimin e të gjitha besimeve dhe bindjeve”, tha ai.

Të hënën, Shtëpia e Bardhë do të rifillojë traditën e festimit të Bajramit dhe nderimit të muslimanëve amerikanë “të cilët po udhëheqin përpjekjet për të ndërtuar mirëkuptim dhe unitet më të madh në të gjithë kombin tonë”.

“Kurani Famëlartë i nxit njerëzit që të qëndrojnë me vendosmëri për drejtësi dhe na kujton se jemi krijuar si kombe dhe fise që të njohim njëri-tjetrin. Tradita e lirisë fetare për të gjithë e forcon vendin tonë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me amerikanët e të gjitha besimeve dhe prejardhjeve për të mbrojtur dhe thelluar angazhimin tonë kolektiv ndaj këtij parimi themelor”, tha presidenti amerikan.

“Të gjithë atyre që festojnë, Jill dhe unë ju urojmë juve dhe të dashurve tuaj Gëzuar Bajramin. Fryma e komunitetit, dhembshurisë dhe shërbimit që kemi dëshmuar gjatë muajit të fundit le të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Eid Mubarak!” përfundoi ai.
Burimi:AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re