Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Azerbajxhanit arritën në nivelin e aleancës me Deklaratën e Shushës të nënshkruar mes dy vendeve.

Në një fjalim në inaugurimin e aeroportit Rize-Artvin në Turqi, Aliyev u shpreh se është i kënaqur që ndodhet përsëri në Turqi.

“Turqia sot ka një autoritet dhe është një qendër fuqie në rang botëror. Gjithashtu është në gjendje të realizojë projekte të mëdha brenda vendit. Në mesin e këtyre përfshihen aeroporte, diga, rrugë, shkolla dhe spitale. Të gjitha këto tregojnë fuqinë e Turqisë”, tha Aliyev duke shtuar se Turqia zhvillohet dita ditës.

Ai theksoi se që nga dita e parë e deri në ditën e fundit të Luftës së Dytë të Karabakut, presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe populli turk kanë qëndruar pranë Azerbajxhanit. Aliyev tërhoqi vëmendjen se kjo luftë është “histori e përbashkët” e dy vendeve.

Aliyev nënvizoi se nuk do ta harrojnë mbështetjen e Turqisë në Luftën e Karabakut dhe se po punojnë me Turqinë për ndërtimin tij.

“Jemi edhe miq edhe vëllezër dhe tashmë zyrtarisht aleatë. Kjo politikë është trashëgimi e mbetur nga paraardhësit tanë”, deklaroi Aliyev i cili shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve arritën në nivelin e aleancës me Deklaratën e Shushës të nënshkruar mes Turqisë dhe Azerbajxhanit.

Më tej ai potencoi se e viziton për herë të parë qytetin Rize dhe se presidenti Erdoğan i ka thënë se ky qytet i ngjan parajsës.

“Qyteti Rize i ka dhuruar botës turke liderin e madh dhe vëllain tim Recep Tayyip Erdoğan. Ju jemi mirënjohës. E gjithë bota turke krenohet me ju”, tha Aliyev.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re