Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në pritjen me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të organizuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.

“Angazhimi amerikan për integrimin euro – atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë  mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim,” – tha ndër të tjera Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.

“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë,” – tha më tej Presidenti Begaj.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti rezervoi një falënderim të posaçëm ndaj Ambasadores Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri, për kontributin e çmuar në vendin tonë dhe miqësinë që ka treguar ndaj Shqipërisë. “Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut!

Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj.” – mbylli fjalën e tij Presidenti, duke uruar dhe njëherë Shtetet e Bashkuara për Festën e Pavarësisë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re