Në ditën e shënuar të Kurban Bajramit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një urim të ngrohtë për të gjithë besimtarët myslimanë dhe qytetarët shqiptarë, përmes rrjeteve sociale Facebook dhe X.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit thekson rëndësinë shpirtërore dhe njerëzore të kësaj feste:
“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot.
Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.
Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre!
Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!”
Urimi i Presidentit Begaj vjen në një ditë që për besimtarët përfaqëson përulësinë ndaj Zotit, sakrificën dhe ndarjen me të tjerët, veçanërisht me ata që kanë më shumë nevojë.