Skip to content

Presidenti Begaj uron efektivët e Forcave të Armatosura në misione ndërkombëtare

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, përshëndeti sot në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura Shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë për festat, duke shprehur mirënjohjen e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Presidenti Begaj u shpreh se shërbimi i Forcave të Armatosura jashtë vendit është një arritje e madhe që tregon profesionalizëm, gatishmëri dhe përgjegjshmëri të lartë për ruajtjen e stabilitetit global.

Ky urim vjen në një kohë kur efektivët shqiptarë vazhdojnë të kontribuojnë në operacione paqeruajtëse dhe humanitare, duke përfaqësuar vendin me dinjitet dhe krenari.