Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shkuar edhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku uroi të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit.
Në krah të Baba Mondit, Begaj deklaroi se sakrificat e muajit të Ramazanit të shërbejnë si një shpërblesë për të qenë më të mirë, më solidarë, për të qenë të bashkuar.
“Jam këtu në kryegjyshatën botërore bashkë me Baba Mondin për t’ju uruar të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë shqiptarëve gëzuar Fitër Bajramin, këtë ditë të madhe. Ku më shumë sesa ky vend mund të themi se fjalët e Kuranit dhe urtësia e profetit Muhamed të na shoqërojnë në veprat tona pas kësaj dite. Uroj që agjërimi i Ramazanit të jetë i pranuar, lutjet gjithashtu. Sakrificat e këtij muaji të shërbejnë si një shpërblesë për të qenë më të mirë, më solidarë, për të qenë të bashkuar, për të promovuar harmoninë fetare dhe mbi të gjitha promovimin e identitetit kombëtar. Faleminderit Baba Mondit për pritjen dhe këtë ditë të madhe”, tha Presidenti Begaj.
Nga ana e tij, Baba Mondi tha: “Të urojmë suksese i nderuar zoti President, qoftë dritë dhe zoti na bekoftë të gjithëve, amen”