Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, zhvilluan një bisedë telefonike për çështjet e sigurisë rajonale dhe globale, si dhe për zhvillimin ekonomik të Irakut.

Në një njoftim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Biden konfirmoi përkushtimin e SHBA-së ndaj Marrëveshjes Kornizë Strategjike të nënshkruar me Irakun, si dhe vlerësoi përpjekjet e kryeministrit al-Sudani për të forcuar sovranitetin dhe pavarësinë e Irakut.

Po ashtu thuhet se liderët kanë diskutuar për politikat e kryeministrit al-Sudani për ekonominë e Irakut dhe është theksuar se SHBA-ja është e gatshme t’i miratojnë këto politika.

Ministri i Jashtëm irakian do të vizitojë Washingtonin

Në njoftim bëhet e ditur se presidenti amerikan ka përshëndetur edhe vizitën e planifikuar të javës së ardhshme në Washington të ministrit irakian të Punëve të Jashtme, Fuad Hussein.

“Të dy liderët u zotuan të sigurojnë që DEASH-i të mos kërcënojë më kurrë popullin irakian, sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Më tej, thuhet se në bisedë ka marrë pjesë edhe mbreti Abdullah II i Jordanisë, i cili dje u takua me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Mbreti Abdullah theksoi mbështetjen e Jordanisë për Irakun, duke përfshirë projektet e përbashkëta të infrastrukturës strategjike”, tha Shtëpia e Bardhë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re