Debati mbi ndryshimin e klimës po bëhet një fe e re, kështu që

Presidenti çek Milos Zeman ka kritikuar luftën globale kundër ndryshimit të klimës, duke e cilësuar atë të tepruar dhe duke argumentuar se debati për ndryshimin e klimës po bëhet një “fe e re”.

“Debati mbi ndryshimin e klimës po bëhet një fe e re. Kështu që më lejoni të jem heretik”, tha 75-vjeçari Zeman, gjatë një fjalimi tradicional për Krishtëlindje.

Zeman, që ishte dhe kryeministër nga 1998 deri në 2002 dhe një ish-drejtues i Partisë Social Demokratike, paralajmëroi se Evropa duhet të jetë e kujdesshme që të mos bëhet më e dobët ekonomikisht se pjesët e tjera të botës për shkak të masave mjedisore.

“Mund të ndodhë teorikisht që industria të lëviz aty ku energjia është më e lirë dhe që BE-ja të bëhet një muze ekologjik me një standard jetese më të ulët për banorët e tij”, tha ai.

Zeman, ashtu si vitin e kaluar, sulmoi qindra mijëra protestues që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit populist Andrei Babish.

Megjithëse u fillua një hetim kundër milionerit Babish me dyshimin e përvetësimit të fondeve evropiane dhe të konfliktit të interesit, pasi kompania e tij Agrofert merrte fonde të BE-së, Zeman e mbrojti përsëri.

“Në demokracinë parlamentare, çfarë jemi dhe çfarë do të mbetemi, krerët e qeverive vijnë dhe shkojnë duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të lira”, tha Zeman.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re