Skip to content

Presidenti Erdoğan i bën thirrje SHBA-së që të gjejë “terroristin” që sulmoi Shtëpinë Turke në New York

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje SHBA-së që të gjejnë “terroristin” që sulmoi Shtëpinë Turke në New York dhe “të bëjnë atë që është e nevojshme”.

“Në Evropë (grupi terrorist) PKK ka parë që gjërat po përkeqësohen, ata kanë filluar të sulmojnë votuesit. Për më tepër, ata kanë sulmuar Shtëpinë Turke në Amerikë, pikërisht përballë OKB-së në SHBA dhe thyen xhamat. Tani, a nuk do t’u themi autoriteteve amerikane dhe forcave të sigurisë se duhet ta gjeni shpejt këtë terrorist dhe duhet ta bëni atë që është e nevojshme”, tha presidenti Erdoğan në një ngjarje në Istanbul.

Shtëpia Turke, tha presidenti Erdoğan, u është besuar autoriteteve amerikane atje.

“Duhet ta gjeni këtë terrorist që theu xhamat e Shtëpisë Turke me levë”, tha ai.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Gjithashtu edhe OKB-ja dënoi sulmin në selinë diplomatike turke në New York dhe bëri thirrje për një hetim.

“Ne e dënojmë atë sulm ndaj Shtëpisë Turke në New York dhe shpresojmë shumë që autoritetet lokale të gjejnë përgjegjësit”, tha për Anadolu Stephane Dujarric, zëdhënësi i shefit të OKB-së.

Shtëpia Turke në New York u sulmua gjatë natës në orët e para të ditës së sotme.

Konsulli i përgjithshëm në New York, Reyhan Özgür, për Anadolu tha se sulmuesi theu xhamat e ndërtesës në orën 03:14 të mëngjesit me orën lokale. Ai njoftoi se askush nuk u lëndua, por 12 dritare dhe dyert e ndërtesës u dëmtuan.

Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, la një levë të vogël në vendngjarje.

Departamenti i Policisë në New York ka nisur një hetim për incidentin.

Özgür tha se incidenti nuk ka ndikuar në votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Türkiyes për shtetasit turq në New York, të cilët aktualisht po japin votat e tyre në Shtëpinë Turke.

Burimi: AA