Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Francën më datë 5 janar, në përgjigje të ftesës së homologut të tij nga ky vend, Emmanuel Macron.
Kreu i shtetit turk do të diskutojë çështjet rajonale dhe dypalëshe me presidentin francez gjatë vizitës së tij në Paris, më 5 janar, bëri me dije një ndihmës i lartë i Erdoganit.
“Gjatë vizitës do të diskutohen marrëdhëniet Turqi-BE dhe çështjet rajonale, me theks të veçantë mbi Jerusalemin, Sirinë, Irakun dhe luftën kundër terrorizmit”, deklaroi zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, përmes një komunikate me shkrim.
Vizita e presidentit – vijoi ai – do të shërbejë për të çuar më tej bashkëpunimin tonë me Francën për të mirën e kombeve tona dhe të gjithë rajonit.
“Franca është një partner i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik, një aleat i zgjedhur me të cilin kemi rreth gjashtë shekuj histori dhe marrëdhënie shumëdimensionale”, theksoi Kalin.
Zëdhënësi i Presidentit Erdogan tha gjithashtu se Turqia dhe Franca kanë një dialog të fuqishëm në të gjitha nivelet për çështjet globale dhe rajonale, sidomos për luftën kundër terrorizmit.
“Marrëdhëniet tona të rrënjosura thellë janë përforcuar më tej nga projekte madhore në një gamë të gjerë duke filluar nga investimet e ndërsjella, energjia, industria e mbrojtjes, shkenca dhe teknologjia, transporti e deri te kultura dhe arsimi”, nënvizoi ai.
“Populli turk që jeton në Francë, me një popullsi rreth 700.000 banorë, vepron si një urë midis vendeve tona”, shtoi Ibrahim Kalin.
Erdogan njoftoi të shtunën e kaluar se ai do të vizitojë Francën të premten e 5 janarit, pas rreth dy vitesh nga udhëtimi i tij i fundit në këtë vend. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re