Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në cilësi të kryesuesit aktual të Organizatës për Bashkëpunim Islam dhe presidentit të Turqisë, i ka bërë thirrje opinionit botëror lidhur Jerusalemin pas planit të SHBA-ve për ta njohur atë si kryeqytet të Izraelit, duke i ftuar SHBA-të të heqin dorë nga një hap i tillë dhe Izraeli të kontribuojë në paqen, shkruan (AA).
Sipas një deklarate të lëshuar nga qendra mediatike e presidencës turke, presidenti Erdoğan tha se është detyrë jo vetëm e muslimanëve, por e gjithë njerëzimit, ta mbrojnë statusin historik të Jerusalemit dhe shenjtërinë e këtij qyteti të profetëve, në të cilin bashkekzistojnë objekte të shenjta të tri feve qiellore.
Presidenti turk është shprehur se Jerusalemi ishte skenë e një tragjedie të pambaruar pas Luftës së Dytë Botërore.
“Çdo hap që shpërfilli të drejtat në Jerusalem të konfirmuara disa herë me rezoluta të Kombeve të Bashkuara ishte goditje ndaj idealit për bashkëjetesë të njerëzve të feve të ndryshme. Është e pamundur të heqim dorë nga kërkesa për një shtet palestinez me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin, gjë që e konsiderojmë kusht për paqen dhe sigurinë në rajon”, ka theksuar Erdoğan.
Erdoğan po ashtu ka vënë në dukje se vendimi i SHBA-ve për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit është në kundërshtim jo vetëm me rezolutat e OKB-së, por edhe me karakterin e lashtë të Jerusalemit.
“Rrjedhimisht, ky hap nënkupton shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të vërtetave historike dhe shoqërore. Ashtu sikurse vendimi i Izraelit për aneksimin e Jerusalemit dhe procedurat dhe praktikat në këtë drejtim nuk u pranuan asnjëherë, njashtu edhe kjo deklaratë është e pavlefshme si në aspektin e ndërgjegjes, ashtu edhe para historisë”, ka potencuar Erdoğan.
Ai ka shtuar se paqja është e mundur vetëm kur t’i jepet fund okupimit izraelit të Jerusalemit Lindor, Bregut Perëndimor dhe Gazës dhe kur palestinezët të mund të jetojnë të lirë në vendin e tyre.
“Në cilësi të kryesuesit aktual të Organizatës për Bashkëpunim Islam dhe presidentit të Turqisë, i bëj thirrje SHBA-ve të heqin dorë nga hapi i tillë që do të nxiste kaos në rajon, ndërsa Izraelit të ndjekë politika që do të kontribuonin në paqen dhe qetësinë”, ka thënë Erdoğan, duke theksuar se njohja e Palestinës është bërë hap i domosdoshëm për arritjen e një balance që do të mundësonte drejtësi dhe arsye të shëndoshë në rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re