Presidenti Erdoğan u bën thirrje të gjithëve të veprojnë ndaj ndryshimeve klimatike

Erdogan9000.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Duke theksuar bashkëpunimin në luftën për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe problemet mjedisore, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë në këtë drejtim.

“Pavarësisht nga fuqia ekonomike, vendndodhja ose përgjegjësia historike, të gjitha vendet duhet të ndërmarrin veprime mbi ndryshimet klimatike”, deklaroi Erdoğan në video-mesazhin e tij drejtuar Konferencës së Biodiversitetit të OKB-së, e njohur edhe si COP 15.

Duke përmendur sfidat globale të tilla si ndryshimi i klimës, fatkeqësitë mjedisore, ndotja, siguria e ujit dhe ushqimit dhe humbja e biodiversitetit me të cilin përballet njerëzimi, ai vuri në dukje se katastrofat e fundit në pjesë të ndryshme të botës kanë treguar shtrirjen e madhe të këtyre problemeve.

“Ne të gjithë e dimë faktin se gjithçka në natyrë është e ndërlidhur si hallkat e një zinxhiri. Biodiversiteti i shkatërruar nënkupton mjedis të ndotur, humbje të ushqimit dhe ujit”, tha Erdoğan.

Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit global, presidenti turk vuri në dukje se lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe problemet mjedisore nuk mund t’u lihen vetëm vendeve të caktuara.

Konferenca e OKB-së për Biodiversitetin bashkon përfaqësuesit e qeverive nga e gjithë bota për të rënë dakord mbi një seri të re qëllimesh për natyrën gjatë dekadës së ardhshme përmes Konventës për Diversitetin Biologjik në procesin kornizë pas vitit 2020.

Korniza gjithashtu përcakton një plan ambicioz për zbatimin e veprimeve me bazë të gjerë për të sjellë një transformim në marrëdhëniet e shoqërisë me biodiversitetin dhe për të siguruar që, deri në vitin 2050 të jetë përmbushur vizioni i përbashkët për të jetuar në harmoni me natyrën.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë