Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij vlerëson shumë mbështetjen e Togos në luftën kundër organizatës terroriste FETO që qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në kryeqytetin Lome me presidentin e Togos, Faure Gnassingbe, presidenti Erdoğan tha se mund të ndërmerren hapa në bashkëpunimin e sigurisë ushtarake në mënyrë që terrorizmi të mos depërtojë në rajonin e Afrikës Perëndimore.

“Ne gjithmonë do të vazhdojmë të jemi pranë Togos në këtë drejtim. Ne duam që vendet mike të pastrohen nga fatkeqësia e FETo-s. Shpresoj se do ta arrijmë këtë”, tha Erdoğan.

FETO dhe lideri i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016, i cili la të vdekur 251 persona dhe të plagosur mbi 2.200 të tjerë.

Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht të ushtrisë, policisë apo gjyqsorit.

Erdoğan po ashtu theksoi se Turqia dhe Këshilli Turk do të dhurojnë doza të vaksinës COVID-19 në Togo, Burkina Faso dhe Liberi në kuadër të përpjekjeve në luftën kundër pandemisë.

Këshilli Turk u themelua në vitin 2009 si një organizatë ndërqeveritare me një qëllim të përgjithshëm të promovimit të bashkëpunimit të gjithanshëm midis vendeve turqisht-folëse. Ai këshill përbëhet nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Uzbekistani si vende anëtare dhe Hungaria si një vend vëzhgues.

Presidenti turk të dielën nisi një turne 4-ditor në tre vende afrikane, përfshirë Angolën, Togon dhe Nigerinë.

Turneu afrikan i presidentit Erdoğan, i cili përfshin Nigerinë, konsiderohet i rëndësishëm për mundësitë e re të bashkëpunimit në Afrikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re