Skip to content

Presidenti i Azerbajxhanit: “Armenia nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq patetike”

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev kritikoi dje Armeninë duke thënë se pothuajse çdo ditë ndodhin konflikte të brendshme në vend ndërsa parimet e demokracisë injorohen.

“Armenia nuk ka qenë kurrë në një situatë kaq patetike”, tha Aliyev, duke komentuar krizën aktuale në Armeni në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së shpërndarjes së apartamenteve për familjet e dëshmorëve dhe veteranëve në kryeqytetin Baku.

“Janë udhëheqësit e tyre ata që i sollën në këtë situatë, si regjimi Kocharyan-Sargsyan, i cili drejtoi vendin për 20 vjet, ashtu edhe qeveria që erdhi pas tyre”, tha Aliyev.

“Por, për disa arsye, disa shtete dhe organizata joqeveritare që flasin për demokracinë i mbyllin sytë para kësaj. Opozita në Armeni është nën presion çdo ditë, arrestohen dhe vriten, por askush nuk reagon. Çfarë do të thotë kjo?”, tha Aliyev.

Ai tha se “historia 30-vjeçare tregon edhe një herë se ne nuk e arritëm këtë fitore vetëm kundër Armenisë. Qarqet e organizuara dhe të fuqishme u bashkuan kundër nesh dhe donin ta mbanin tokën tonë nën pushtim përgjithmonë. Armenia ishte vetëm një mjet. Ne shkatërruam këtë politikë tinëzare dhe rivendosëm drejtësinë”.

Më herët gjatë ditës së djeshme, ushtria armene lëshoi ​​një deklaratë ku i bënte thirrje kryeministrit, Nikol Pashinyan të jepte dorëheqje.

Kryeministri kritikoi thirrjen e ushtrisë si një “përpjekje për grusht shteti” dhe u kërkoi mbështetësve të tij të dilnin në rrugë për të rezistuar. Ai më vonë njoftoi shkarkimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Facebook.

Gjatë konfliktit gjashtë javësh, i cili përfundoi me armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, Azerbajxhani çliroi disa qytete strategjike dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga pushtimi armen.

Para kësaj, rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit kishte qenë nën okupimin e paligjshëm armen për gati tri dekada.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone fqinje.