Presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev, ka deklaruar se edhe Azerbajxhani do të vërë në dyshim integritetin territorial të Armenisë nëse Armenia vazhdon të vërë në dyshim integritetin territorial të Azerbjaxhanit.

“Nëse Armenia kërkon status për armenët në Karabak, përse Azerbajxhani të mos kërkojë status për azerbajxhanasit në Zangezurin Perëndimor?, tha Aliyev, i cili mbajti një fjalim në hapjen e Forumit të 9-të Global të Bakut të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare Nizami Ganjavi.

Lidhur me kërkesat e Armenisë për çështjen e Karabakut, Aliyev rikujtoi se në Azerbajxhan nuk ndodhet një njësi administrative “Malësia e Karabakut” dhe paralajmëroi se çdo referencë për këtë temë nga Armenia do të shkaktojë një konflikt të ri.

Ai bëri të ditur se kanë filluar të dëgjojnë disa pretendime nga Armenia lidhur me statusin e “Malësisë së Karabakut”. Aliyev shtoi se kjo është e padobishme dhe një qasje e rrezikshme për Armeninë.

Rajoni Autonom i Malësisë së Karabakut është shpërbërë me një vendim të parlamentit të Azerbajxhanit në vitin 1991, tha Aliyev, duke shtuar se “Qeveria e Armenisë duhet ta kuptojë këtë dhe duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të shkruar sërish histori. Nëse Armenia vazhdon të vërë në dyshim integritetin territorial të Azerbajxhanit, edhe Azerbajxhanit nuk i mbetet alternativë tjetër dhe do të vërë në dyshim integritetin territorial të Armenisë”.

Pasi deklaroi se ata historikisht kanë pasur të drejtë të vënë në dyshim integritetin territorial të Armenisë, Aliyev tha ndër të tjera se “Historia e shekullit të fundit tregon hapur se qeveria Sovjetike shkëputi zonën historike Zengezur të Azerbajxhanit në vitin 1920 dhe ia dha Armenisë. Për këtë arsye, nëse Armenia kërkon status për armenët në Karabak, përse Azerbajxhani të mos kërkojë status për azerbajxhanasit në Zangezurin Perëndimor? Sepse në të gjithë atë territor atje jetonin azerbajxhanasit. Kjo çështje mund të shkaktojë situatën e një rruge pa krye. Qeveria e Armenisë nuk duhet të harrojë mësimet në Luftën e 2-të të Karabakut, duhet t’i mësojë mirë këto mësime dhe të distancohet nga çdo pretendim territorial i saj kundër Azerbajxhanit”.

“Nuk ka më nevojë për Grupin e Minskut”

Aliyev përmendi edhe aktivitetet e Grupit të Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i cili u krijua për zgjidhjen e konfliktit të Karabakut nën bashkëkryesimin e SHBA-së, Rusisë dhe Francës.

“Grupi i Minskut nuk arriti asnjë rezultat në 28 vite. Nuk ka më nevojë për Grupin e Minskut, për arsyen se Azerbajxhani e zgjidhi problemin e Karabakut. Pas luftës Rusi-Ukrainë të gjithë e kuptojnë se është e pamundur që të mblidhen bashkëkryesuesit e Grupit të Minskut. Kemi marrë mesazhe se institucioni bashkëkryesues i Grupit të Minskut nuk do të mund të veprojë. Tashmë ka ardhur koha të dalë në pension”, tha Aliyev.

Në forum, krahas presidentit Aliyev morën pjesë edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kreu i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç dhe presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili.

Po ashtu në forum mori pjesë dhe mbajti një fjalim edhe nënkryetari i Përgjithshëm i AK Partisë, Binali Yıldırım.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re