Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, u shpreh se “rend i ri botëror po merr formë”, teksa iu drejtua takimit të Grupit të Kontaktit të Lëvizjes së të Paangazhuarve (NAM) në kryeqytetin Baku.

“Tani bota po përjeton konfrontimin më serioz Lindje-Perëndim që nga fundi i Luftës së Ftohtë, me pasoja për pjesën tjetër të botës. Si institucioni i dytë më i madh ndërkombëtar pas OKB-së, NAM duhet të luajë një rol më të dukshëm dhe efikas në arenën ndërkombëtare dhe të marrë pjesë aktive në riformësimin e rendit të ri botëror”, tha Aliyev.

Ai tha se arkitektura e sigurisë ndërkombëtare që ka ekzistuar për dekada po pëson ndryshime rrënjësore, duke shtuar se multilateralizmi është në rrezik me “erozionin e normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare” e cila po kërcënon edhe më shumë rendin ndërkombëtar.

“Vërehen më shumë raste të shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve. Nuk po zbatohen as vendimet e organizatave kryesore ndërkombëtare, ose po zbatohen qasje selektive dhe standarde të dyfishta”, tha ai.

Aliyev tha se NAM duhet të bashkohet për të eliminuar trendet në rritje të neo-kolonializmit, duke shtuar se organizata mbështet “fuqishëm” sovranitetin e Unionit të Komoreve mbi ishullin Mayotte, një departament francez në Oqeanin Indian, dhe se NAM i bën thirrje Parisit të “respektojë të drejtat e popullit të Kaledonisë së Re dhe të popujve të tjerë në komunitetet dhe territoret franceze jashtë shtetit”.

“Territoret e administruara nga Franca jashtë Evropës janë mbetje të neveritshme të perandorisë koloniale franceze. Gjithashtu i bëjmë thirrje Francës që të kërkojë falje dhe të pranojë përgjegjësinë e saj për të kaluarën e saj koloniale, krimet e përgjakshme koloniale dhe aktet e gjenocidit kundër vendeve anëtare të NAM në Afrikë, Azinë Juglindore dhe vende të tjera”, deklaroi presidenti Azerbajxhan.

Aliyev më tej tha se Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet t’i jap një vend të përhershëm NAM-it, përveç mbështetjes së idesë për dhënien e ulëses së përhershme për vendet afrikane, duke shtuar se organi i OKB-së “kujton të kaluarën dhe nuk pasqyron realitetin aktual”.

Ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së është “joefikas”, duke shtuar se katër rezoluta të miratuara nga organi i OKB-së për tërheqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të forcave armene nga territori i Azerbajxhanit u injoruan për gati tre dekada.

“Në vitin 2020, Azerbajxhani vetë rivendosi integritetin e tij territorial dhe drejtësinë historike me mjete ushtarako-politike dhe zbatoi rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Ndoshta, ishte rasti i parë në botë që nga themelimi i OKB-së”, tha ai.

Lëvizja e të Paangazhuarve u formua në vitin 1961 nën udhëheqjen e Jugosllavisë së atëhershme kur bota filloi të polarizohej midis Lindjes dhe Perëndimit. Aktualisht lëvizja ka 120 anëtarë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re