Presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, tha se rezervat e Turqisë për synimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO mund të zgjidhen me ndihmën e bisedimeve konstruktive.

Duke folur në parlamentin suedez, Rigksdag, Niinisto tha: “Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar dhe janë ngurtësuar shumë shpejt ditët e fundit”, duke shtuar: “Por unë jam i sigurt se, me ndihmën e bisedimeve konstruktive, ne do ta zgjidhim situatën”.

Në lidhje me faktorët që e shtynë Finlandën dhe Suedinë të kërkonin anëtarësimin në NATO pas dekadash kundërshtimi, Niinisto tha se ata po i ndërmarrin këto “hapa historikë nën hijen e luftës brutale”, duke iu referuar luftës gati katër-mujore të Rusisë kundër Ukrainës.

“Dhjetori i vitit të kaluar shënoi fillimin e një rrjedhe ngjarjesh që revolucionarizuan mjedisin tonë të politikës së sigurisë”, tha ai duke shtuar: “Kërkesa e Rusisë për të ndaluar zgjerimin e NATO-s kishte për qëllim reduktimin e lirisë sonë të zgjedhjes dhe sovranitetit tonë. Kjo na vendosi në një pozicion të ri.”

Ndër justifikimet e Rusisë për fillimin e luftës, më të kritikuara nga vendet perëndimore si pretekste të thjeshta, është që Ukraina ishte afër anëtarësimit në NATO, megjithëse synimi i saj për anëtarësim ishte në fazat më të hershme.

Niinisto theksoi se lufta në vazhdun e sipër e Rusisë në Ukrainë tregoi se Moska është “e gatshme të përdorë forcat e saj të armatosura në zonat e saj të afërta për të arritur qëllimet e saj”.

“Shuma e këtyre faktorëve tregoi se pozicionimi ynë tradicional ishte i paqëndrueshëm,” shtoi ai.

Duke thënë se Finlanda dhe Suedia po veprojnë së bashku në procesin e anëtarësimit në NATO, Niinisto tha se do të aplikojnë bashkërisht për anëtarësim në NATO.

Turkiye, një anëtare e NATO-s për 70 vjet, ka shprehur kundërshtime ndaj synimeve të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, duke kritikuar dy vendet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste, si YPG/PKK.

Ministria turke e Drejtësisë, në përputhje me vendimet e gjykatave turke, kërkoi nga Finlanda ekstradimin e 12 terroristëve, gjysma e lidhur me grupin terrorist PKK dhe gjysma me Organizatën Terroriste FETO, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të mposhtur të vitit 2016.

Finlanda dhe Suedia “duhet të ndalojnë mbështetjen e grupeve terroriste” dhe t’i japin garanci të qarta sigurie Ankarasë që të bëhet anëtare e NATO-s, tha të dielën ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu. Ai theksoi se NATO është një aleancë sigurie në të cilën vendet anëtare duhet të solidarizohen me njëri-tjetrin.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK – e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve. YPG është dega siriane e PKK-së.

FETO dhe lideri i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut 2016 në Turqi, në të cilin 251 persona u vranë dhe 2.734 u plagosën.

Qeveria turke akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Suedisë, përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës do të vizitojnë Turqinë në ditët në vijim për të zhvilluar bisedime zyrtare në Ankara për të diskutuar aplikimet e anëtarësimit në NATO.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re