Skip to content

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka hedhur akuza shokuese ndaj një ‘perandorie kriminale’ që dyshohet të jetë udhëhequr nga një shtetas shqiptar (Emri)

Cream and Brown Photographic Beauty Site Launch Website 73

Një rrjet i errët ndërkombëtar, një atentat i dështuar dhe lidhje që shtrihen nga Amerika Latine në Evropë – Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka hedhur akuza shokuese ndaj një ‘perandorie kriminale’ që dyshohet të jetë udhëhequr nga shtetasi shqiptar Dritan Gjika.

Në një deklaratë zyrtare në platformën X (ish-Twitter), presidenti Petro zbuloi detaje të rënda për një komplot të dyshuar për ta eliminuar fizikisht, duke akuzuar Gjikën – të arrestuar më 26 maj në Abu Dhabi – si drejtuesin e një rrjeti mafioz shqiptar me ndikim të thellë në Amerikën Latine.

Sipas Petro-s, ky rrjet ka penetruar në segmente kyçe të shtetit ekuadorian, përfshirë prokurorinë, strukturat e inteligjencës dhe portin strategjik të Buenaventura-s – një nga nyjet kryesore të trafikut të drogës në kontinentin amerikan.

Nga Ekuadori në Evropë – Rruga e kokainës dhe parave të pista

Hetimet tregojnë se që prej vitit 2009, Gjika ka ndërtuar një rrjet të sofistikuar trafikimi, duke dërguar mbi 9.5 tonë kokainë nga Kolumbia në Evropë, përmes Ekuadorit. Ai dyshohet se ka përdorur kompani fasadë në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë për të pastruar paratë dhe për të shmangur autoritetet.

Në një raport të publikuar nga InSight Crime, Gjika shfaqet si ‘kokë’ e një strukture kriminale që përfshin figura të tjera si Mario Sánchez Rinaldi, Julio Lalangui, Rubén Cherres, Bryan Lalangui dhe Erjon Spahiu. Këta individë janë të lidhur me dhjetëra kompani që shërbejnë si mjete për aktivitetet e paligjshme.

Lidhje me një vrasje që tronditi rajonin

Presidenti Petro ka bërë edhe një lidhje tronditëse: ai e ka akuzuar rrjetin e Gjikës për përfshirje të mundshme në vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci në vitin 2022 – një atentat që tronditi të gjithë Amerikën Latine dhe ngriti alarmin për depërtimin e mafies në institucionet e drejtësisë.

Operacion ndërkombëtar për shkatërrimin e rrjetit

Aktualisht, hetimet janë duke u zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve të Ekuadorit, Spanjës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, në përpjekje për të çmontuar tërësisht këtë rrjet të fuqishëm, i cili dyshohet se ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, drejtësi dhe politikë në disa shtete të Amerikës Latine dhe përtej.

Presidenti Petro ka paralajmëruar se lufta kundër kësaj mafie nuk ka përfunduar dhe se “nuk do të ketë më vende të sigurta për ata që minojnë shtetin dhe jetën e njerëzve të ndershëm.”