Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski u shpreh optimist për hapjen e negociatave të antarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor.

Nga Sllovenia, Pendarovski deklaroi se BE-ja duhet të jetë më e vendosur dhe e qartë në kriteret e saj të pranimit.

 

STEVO PENDAROVSKI

PRESIDENT I MAQEDONISE SE VERIUT

 

“Ecuria e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së nuk është në kulmin e saj, ka ende shumë për të bërë. Në këtë kontekst është e domosdoshme që BE të jetë më konkret në kriteret e vendosura. Nëse Mali i Zi po negocion për shtatë vjet dhe ende nuk po sheh dritë në fund të tunelit, atëherë çfarë mund t’u them qytetarëve të mi në Maqedoninë e Veriut, se sa do të zgjasë procesi për ne.”

 

Duke folur për nevojën e zgjidhjes së konflikteve në rajon, presidenti i Maqedonisë së Veriut deklaroi se ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë edhe konflikte të armatosura.

 

“Kufijtë duhet të qëndrojnë aty ku janë. Çdo opsion tjetër mund të krijojë një efekt domino, që mund të dëmtojë disa vende në rajon, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut. Ndryshimet kufitare mund të çojnë madje edhe në konflikte të armatosura”.

 

Serbia dhe Kosova u zotuan, në vitin 2013, për një dialog me ndërmjetësimin edhe nga Bashkimi Evropian, që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Por pasi Prishtina vendosi taksën 100 % ndaj mallrave serbe, negociatat janë pezulluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re