Kandidati i koalicionit qeverisës, Peter Pellegrini, fitoi zgjedhjet presidenciale në Sllovaki, i cili pasi mori rezultatet nga më shumë se 90 për qind e zonave votuese, shënoi mbështetjen e 55 për qind të qytetarëve që dolën në votime.

Rezultatet nga 92.9 për qind e qarqeve treguan se Pellegrini është përpara kandidatit properëndimor të opozitës, Ivan Korçok, i cili ka mbështetjen e 45 për qind të qytetarëve dhe që tashmë ka pranuar humbjen dhe ka uruar Pellegrinin për fitoren e tij, transmeton Reuters.

Pellegrini, 48 vjeç, është një aleat i gjatë i kryeministrit Roberto Fico, kështu që fitorja është një nxitje për kryeministrin sllovak në një kthesë politike që përfshin pikëpamjet pro-ruse dhe planet për të reformuar kodin penal dhe televizionin publik, duke ngritur shqetësime për dobësimin e shtetit ligjor.

Fico më parë zgjodhi Pellegrinin si kryeministër pasi ai u detyrua të jepte dorëheqjen mes protestave publike kundër korrupsionit pas vrasjes së një gazetari investigativ në 2018. Pellegrini më vonë u shkëput nga Fico dhe themeloi partinë e tij Hlas (Zëri), më liberale dhe më afër qendrës se partia e majtë populiste SMER e Ficos, por së bashku me Ficon dhe SNS nacionaliste formuan një qeveri tetorin e kaluar.

Dënimet për korrupsion

Presidentët sllovakë nuk kanë shumë pushtet ekzekutiv, por ata mund të vënë veton ndaj ligjeve ose t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese t’i shqyrtojë ato. Presidentët emërojnë anëtarët e kësaj gjykate, të cilët mund të jenë të rëndësishme në betejat e ardhshme mbi reformat që do të reduktojnë në mënyrë dramatike dënimet për korrupsionin, vëren Reuters.

Në fushatë, Pellegrini u përpoq ta portretizonte Korçokun si një luftënxitës për shkak të mbështetjes së tij për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe tha se ai mund t’i çonte ushtarët sllovakë në luftë, gjë që Korçok e mohoi.

Pellegrini konsiderohet më i moderuar se Fico dhe më parë ka deklaruar se zgjedhja e tij nuk do të thotë një nxitim për të ndryshuar politikën e jashtme.

“Nuk bëhet fjalë për drejtimin e ardhshëm të politikës së jashtme, edhe unë jam garanci, si kandidati tjetër, se do të vazhdojmë të jemi një anëtar i fortë i BE-së dhe NATO-s”, tha ai.

Korçoku i pavarur, i cili çuditërisht fitoi më shumë vota në raundin e parë dy javë më parë, ishte i dërguari i Sllovakisë në BE dhe më vonë ambasador në Shtetet e Bashkuara, përpara se të merrte postin e ministrit të Jashtëm në qeveritë e qendrës së djathtë nga viti 2021 deri në vitin 2022.

Në atë kohë, Sllovakia ishte një aleate besnike e Ukrainës, duke i siguruar asaj mbrojtje kundërajrore dhe avionë luftarakë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re