Skip to content

Presidenti i Senegalit: Afrika do të përballet me urinë nëse nuk zgjidhet transporti i grurit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Afrika do të përballet me një situatë “shumë serioze” urie nëse eksportet e grurit nga Ukraina në kontinent nuk vazhdojnë, deklaroi presidenti i Senegalit, Macky Sall, kryesuesi i Bashkimit Afrikan.

Për mediat franceze Radio France Internationale dhe televizionin France 24, Sall tha se uria mund të destabilizojë kontinentin.

Duke iu referuar takimit të tij javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin në kryeqytetin rus, Moskë, Sall rikujtoi se ai i kishte kërkuar homologut të tij rus që të ndihmonte Afrikën të marrë plehra dhe drithëra.

Sall tha se gjatë takimit ai bëri thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëruan të premten e kaluar se siguria globale e ushqimit ishte e kërcënuar 100 ditë pas fillimit të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Ata paralajmëruan për kërcënimin e urisë, destabilizimit dhe emigrimit masiv në mbarë botën për sa kohë që Rusia bllokon portet e Detit të Zi që eksportojnë grurë në botë.

“Bllokimi në Detin e Zi kërcënon sigurinë globale të ushqimit dhe mallrave. Pasiguria ushqimore do të bëhet edhe më shqetësuese pasi 1,7 miliard njerëz janë në rrezik të rritjes së varfërisë për shkak të krizës”, sipas Amin Awad, koordinator i OKB-së për Ukrainën.
Burimi: AA

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë