Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mori vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Erdoğan u vaksinua në Spitalin e Qytetit në Ankara pas një takimi Këshillit Vendimmarrës dhe Drejtues të partisë së tij (AK Parti).

“Edhe unë u vaksinova”, shkroi presidenti turk në aplikacionin e medias sociale Telegram.

Ndërkaq, në një deklaratë në Twitter, në të cilën ai shpërndau edhe fotografi nga vaksinimi i tij, Erdoğan tha se shpresojnë që për një kohë të shkurtër, të vaksinohen të gjithë shtetasit e Turqisë.

Pas vaksinimit, Erdoğan u prononcua para gazetarëve, ku bëri të ditur se afro 300 mijë punonjës shëndetësorë janë vaksinuar kundër COVID-19 në Turqi deri më tani.

Ai po ashtu njoftoi se në Turqi do të vijnë edhe 25-30 milionë doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19.

“Do të ishte shumë e qëlluar nëse liderët e partive politike dhe deputetët inkurajojnë marrjen e vaksinës kundër COVID-19”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë i vendit, Fahrettin Koca, dje u bë shtetasi i parë i Turqisë që u vaksinua kundër koronavirusit pasi vendi zyrtarisht nisi fushatën e vaksinimit, menjëherë pasi organi shtetëror i barnave miratoi përdorimin urgjent të vaksinës CoronaVac të prodhuar në Kinë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Turqia ka 1,1 milion punonjës shëndetësorë të cilët do të vaksinohen brenda një muaji. Dy doza të vaksinës do të administrohen me 28 ditë diferencë.

Personat e shëruar nga COVID-19 nuk do të vaksinohen katër deri në gjashtë muaj pas shërimit të tyre.

Grupi i parë i tre milionë dozave të vaksinës të porositura nga SinoVac Biotech nga Kina mbërriti në Turqi më 30 dhjetor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re