Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha se “Presidentin Erdoğan e shohim si një vëlla të vendit tonë. Populli turk duhet ta dijë se e duam shumë Erdoğan-in sepse ai është dashamirës dhe me zemër të madhe”.

Maduro priti në pallatin Miraflores, ministrin turk të Tregtisë, Mehmet Muş dhe delegacionin turk si dhe bëri deklarata pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) i Türkiye-s dhe Qendrës Ndërkombëtare për Investime Produktive e Republikës Bolivariane të Venezuelës (CIIP).

“Me ministrin Muş zhvilluam një takim të mrekullueshëm. Këtu miratuam objektivat e mëdha të shkëmbimit tregtar dhe konfirmuam përparimin në integrimin e investimeve dhe zhvillimin produktiv ekonomik të vendeve tona”, tha Maduro.

Ai foli për objektivat tregtare mes dy vendeve. “Venezuela dhe Turqia presin mirëqenie, pasuri dhe dobi reciproke në marrëdhëniet ekonomike në të ardhmen. Deri më tani kështu ka qenë. Edhe më pas kështu do jetë dhe ne po përparojmë”, tha Maduro.

Duke vënë theksin mbi rëndësinë e Turkish Airlines (THY) mes dy vendeve, Maduro tha: “Mirëpresim gjithmonë rritjen e Turqisë Aktualisht kemi 7 fluturime në javë dhe kjo do të vazhdojë duke u rritur sepse Turqia nuk bashkon vetëm Karakasin. Në të njëjtën kohë ajo bashkon edhe Istanbulin, Amerikën e Jugut dhe të gjitha rajonet”.

“Presidentin Erdoğan e shohim si një vëlla të vendit tonë. Populli turk duhet ta dijë se e duam shumë Erdoğan-in sepse ai është dashamirës dhe me zemër të madhe. Erdoğan në vitet tona më të vështira, kur ne ndodheshim duke përjetuar kushtet më të këqija ka qenë gjithmonë pranë Venezuelës. Ka zgjatur dorën e tij të dashurisë dhe dashamirësisë për vendin tonë. Përshëndetje popullit turk dhe Erdoğan-it”, deklaroi Maduro duke rikujtuar miqësinë mes dy vendeve.

Më tej ai tha se Venezuela ka arritur në një fazë të re në rritjen ekonomike dhe se ka shënuar përparime të fuqishme edhe në fusha të tjera përveç naftës.

Duke rikujtuar se vendi i tij ka arritur rritjen më të lartë ekonomike në mesin e vendeve të Karaibeve dhe Amerikës Latine, Maduro tha: “Këtë sukses të rëndësishëm e kemi arritur kryesisht me një rritje jashtë fushës së naftës. Është e nevojshme të merren masa efektive për të përparuar në një rrugë të drejtë”.

Maduro bëri thirrje për investime në vendin e tij. “Venezuela është një vend i pasur me burime natyrore. Ne, ashtu si në sektorin minerar për arin, hekurin, çelikun, aluminin dhe diamantin, jemi të hapur për investime me besim reciprok në të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha ai.

“Mirënjohës për investimet që keni bërë në Venezuelë”

Duke nënvizuar vëllazërinë mes dy vendeve, Maduro e përfundoi fjalën e tij duke thënë: “Ju falënderoj për vizitën tuaj. Këtu do gjeni gjithmonë vëllazëri, ju jam mirënjohës për investimet që keni bërë në Venezuelë. Zoti e ruajt Turqinë, Zoti e ruajt Venezuelën, faleminderit shumë. Përshëndes ministrit turk të Tregtisë, përshëndes me respekt presidentin e Turqisë”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re