Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha të martën se mbreti spanjoll Felipe VI duhet të kërkojë falje për gjenocidin e popujve autoktone në Amerikë.

“Ne u bashkohemi zërave që janë ngritur në Amerikë të cilat kërkojnë që Mbreti i Spanjës të korrigjojë, reflektojë dhe kërkojë falje për Amerikën Latine dhe Karaibet për gjenocidin 300-vjeçar kundër popujve autoktonë”, tha Maduro.

Ai kritikoi Spanjën e cila më 12 tetor shënon “Dia de la Hispanidad”, apo “Dita Hispanike”, një festë kombëtare në Spanjë që përkujton datën kur Kristofor Kolombi shkeli për herë të parë në Amerikë në vitin 1492.

Sipas Maduros, ajo paraqet një “ofendim të madh për kujtesën e burrave dhe grave që ata vranë”.

“Më shumë se 500 vjet më parë, perandoria spanjolle vrau, dëboi dhe skllavëroi miliona njerëz autoktonë. Ata erdhën këtu për të pushtuar, kolonizuar dhe masakruar gjyshërit dhe gjyshet tona. Spanja duhet të korrigjojë dhe të kërkojë falje për të gjithë Amerikën”, tha Maduro në Twitter.

Maduro tha se do t’i dërgojë letër Mbretit të Spanjës për të “reflektuar” mbi ngjarjet që shënuan kolonializmin dhe gjenocidin në Amerikën Latine dhe shtoi se “Spanja gjithashtu ka një histori të mirë, të lavdishme, heroike të luftës kundër kolonializmit, kundër vasalizimit, kështu që duhet kuptuar”.

Njerëzit në vende të ndryshme të Amerikës Latine, përfshirë Meksikën, Guatemalën, Hondurasin dhe Ekuadorin dolën në rrugë të martën për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të popujve autoktonë që vuajtën nga kolonët evropianë.

“Në rrugët e Karakasit u dha një mesazh i qartë: Këto toka nuk do të jenë më kurrë koloni e askujt”, tha ai.

Nuk është hera e parë që një udhëheqës i Amerikës Latine kërkon kërkim-falje nga Spanja.

Në vitin 2019, presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador i dërgoi një letër Mbretit të Spanjës Felipe VI dhe Papa Françeskut duke u kërkuar atyre të kërkonin falje për shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera gjatë pushtimit të rajonit 500 vjet më parë.

Qeveria spanjolle aso kohe lëshoi një deklaratë ku thoshte se “hedh poshtë” pohimet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re