Presidenti kinez, Xi Jinpingi i ka dërguar, një fakt mjaft i rrallë, një mesazh liderit koreano-verior, Kim Jong-Un, njoftoi sot agjencia zyrtare koreano-veriore KCNA.
Ky komunikim i shkruar mund të jetë ndoshta sinjali i përmirësimit të marrëdhënieve mes dy fqinjëve.
Lidhjet u përkeqësuan për shkak të ambicieve bërthamore të Phenianit, edhe pse Pekini është prej një kohë të gjatë aleati dhe mbështetësi i tij ekonomik.
Letra e Xi, që mban datën e djeshme, i përgjigjet një mesazhi urimi të dërguar nga Kim Jong-Un, në fund të tetorit, pas rimarrjes së drejtimit të Partisë Komuniste Kineze (PCC).
“Dëshiroj që në këtë situatë të re pala kineze të bëjë përpjekje përballë palës koreano-veriore për të promovuar marrëdhëniet mes dy palëve dhe dy vendeve për stabilitet”, deklaroi presidenti kinez, duke iu drejtuar Kim me “shoku president”.
Në mesazhin e tij, lideri koreano-verior i kishte shprehur urimet më të sinqerta presidentit kinez, me shpresën që marrëdhëniet të ecin përpara në interes të popujve të të dy vendeve.
Hera e fundit që KCNA i është referuar një mesazhi të Xi daton në korrikun e vitit 2011./atsh/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re