Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka kritikuar sugjerimet e homologut të tij francez, Emmanuel Macron, për formimin e një “komuniteti politik evropian” në mes të luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Nauseda u tha mediave se ai është në favor të “formimit të komuniteteve politike paralele me Bashkimin Evropian (BE)”, por gjithashtu theksoi se idenë e themelimit të një “komuniteti politik evropian” ai e sheh si një “përpjekje për të mbuluar mungesën e dukshme të vullnetit politik ndaj dhënies së statusit kandidat Ukrainës”.

Duke theksuar se ideja e presidentit francez mund të çojë në “zhgënjime në palët ukrainase për këtë çështje, Nauseda tha se, “Kjo pa dyshim nuk është e mirë dhe para se të sugjerojë ide të tilla, dikush duhet të pyesë Ukrainën nëse ideja do t’i përmbushte pritjet e tyre ose jo”.

Presidenti lituanez përmendi se nuk ishte “i zhgënjyer” për fjalimin e presidentit Macron mbi atë sesi procesi i anëtarësimit të Ukrainës në bllokun evropian mund të zgjasë me vite, si dhe theksoi se është i vetëdijshëm për këtë fakt”.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE katër ditë pasi Rusia nisi luftën në fund të muajit shkurt. Blloku akoma nuk i është përgjigjur thirrjes së presidentit Volodymyr Zelenskyy për të përshpejtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE.

Në Strasburg, Macron ngriti një çështje për një “komunitet paralel evropian” në funksion të kritereve të rrepta të anëtarësimit në BE. Ai vlerësoi se do të duhen disa vite, madje edhe dekada që Ukraina të fitojë anëtarësimin nëse BE-ja nuk i ulë standardet për anëtarësim.

Sipas presidentit francez, Kievi do të mund t’i bashkohet komunitetit paralel evropian të sugjeruar derisa të pranohet zyrtarisht në bllok.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 3.459 civilë janë vrarë dhe rreth 3.700 të tjerë janë plagosur që kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë (UNHCR), mbi 5,9 milionë ukrainas kanë ikur jashtë vendit, ndërkohë rreth 7,7 milionë të tjerë po ashtu janë zhvendosur brenda vendit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re