Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sonte në terren dhe ndoqi nga afër operacionet e kërkim-shpëtimit që po kryhen në njërin prej pallateve të dëmtuara nga tërmeti në lagjen nr. 6 në Durrës.

Kreu i Shtetit shoqërohej nga Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri,Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, z.Bujar Osmani, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti si edhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Më pas, Presidenti Meta u takua edhe me forcat e specializuara të emergjencave civile, të ardhura nga Maqedonia e Veriut, për të kontribuuar në tejkalimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore, të cilat janë të stacionuara në gjimnazin “Naim Frashëri”.

Gjatë takimit me ta, Presidenti u shpreh:

“Jam këtu për t’iu falënderuar të gjithëve për punën plot përkushtim që keni bërë këto dy ditë, për të cilën keni vlerësimet më të larta. Kam dëgjuar fjalët më të mira nga autoritetet e Durrësit dhe ato shqiptare që kanë ndjekur nga afër gjithë këtë situatë kaq dramatike të emergjencës.
Faleminderit shumë për sakrificat që keni bërë, që keni rrezikuar në operacionet e shpëtim-kërkimit, kontributin tuaj nuk do ta harrojmë kurrë!

Ky është një moment i rëndësishëm i demostrimit të solidaritetit midis dy vendeve tona, dhe një tregues i bashkëpunimit në fushën e emergjencave civile”.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko