Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar në Facebook pas vizitës së sotme në qytetin e Korccës, ku bëri disa vlerësime në kuadër të 7 Marsit, ditës së mësuesve.
Presidenti bën thirrje që të gjithë bashkë të angazhohen për të penguar që mësuesit dhe rinia shqiptare të mos braktisin më atdheun.
“Nga Korça, djepi i Rilindjes Kombëtare, arsimit dhe kulturës shqiptare, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja me rastin e 7 Marsit, një buqetë të nderuar mësuesish, edukatorësh, pedagogësh e drejtuesish të paharruar të shkollave të këtij qyteti, që aq shumë kanë sakrifikuar për përhapjen e dritës së dijes dhe edukimit patriotik të rinisë.
Mirënjohje përjetë për të gjitha brezat e mësuesve shqiptarë, të cilët me vizion e patriotizëm dhanë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e përhapjen e gjuhës dhe arsimit shqip.
Të angazhohemi së bashku për të bërë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar më, që mësuesit dhe rinia jonë e mrekullueshme të braktisin Atdheun, por ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre të sigurt, plot krenari dhe besim.GËZUAR 7 MARSIN!” u shpreh Meta.
Presidenti i vendit Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një ceremoni të dhënies së dekoratave me rastin e 7 Marsit në qytetin e Korçës.
(E.H/Faxweb.al)
/faxweb
