Presidenti i Republikës, Ilir Meta merr mesazh urimi për Festën e Pavarësisë së Shqipërisë nga homologu i Italisë, Sergio Mattarella.

Në mesazhin e tij, drejtuar Kreut të shtetit shqiptar, presidenti Mattarella gjatë urimit ka shprehur hapur mbështetjen e Italisë për çeljen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Kremtimi i Ditës kushtuar Pavarësisë më jep mundësin t’ju përcjell ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve tuaj urimet më të përzemërta për një të ardhme të begatë për Republikën e Shqipërisë!

Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri. Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit. Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të ngushta, edhe në nivel shumëpalësh si rrjedhojë e të qenit pjesë e Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit të nisur në funksion të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për dyvjeçarin 2022-2023. Me këtë frymë dhe me ndjenja miqësie të sinqertë, ju shpreh dhe njëherë urimet e mia më të përzemërta, Juve dhe popullit shqiptar me rastin e kësaj date të shënuar!”

Me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i Francës, Emmanul Macron.

Në mesazhin e Presidentit të Republikës Franceze, urohet:

“Zoti President, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju përcjell gjithë përgëzimet e mia dhe në emër të popullit francez!
Dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019!
Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë.
Në këtë kontekst përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negovciatave të aderimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë.
Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendit tuaj në mbështetje të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe më gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kemi së shpejti në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Duke ju përtërirë përgëzimet e mia më të sinqerta, ju lutem të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës time të lartë.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re