Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë mesazhe urimi nga krerë shtetesh, si nga Presidenti i Polonisë Andrzej Duda; i Kroacisë Zoran Milanoviç; i Slovenisë Borut Pahor; i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski; i Austrisë Aleksandër Van der Bellen; i Konfederatës Zvicerane Guy Parmelin; nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav; nga Perandori i Japonisë, Naruhito; nga Presidenti i Çekisë, Milos Zeman; si dhe dhjetëra homologë të tjerë.

Presidenti i Polonisë Duda shkruan në mesazhin e tij se: “Republika e Polonisë i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me përfitim reciprok me Shqipërinë. Dua njëkohësisht të shpreh vlerësimin për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe t’iu siguroj për mbështetjen konsekuente të Polonisë në synimet e Shqipërisë drejt integrimit europian”
Në mesazhin e urimit të Presidentit të Krocisë, Milanoviç, ndër të tjera theksohet se: “Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë e ta fuqizojmë miqësinë tonë si dhe të bashkëpunojmë në fusha me interes të përbashkët, duke u dhënë marrëdhënieve tona aleate një nxitje të re për të zhvilluar bashkëpunimin. Kroacia mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj që së shpejti të miratohet kuadri negociues për vendin tuaj dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare!”

Ndërsa Presidenti slloven Pahor, shprehet mes të tjerash: “Të jeni të sigurt mbi mbështetjen e vendosur e Sllovenisë për Shqipërinë ndaj përpjekjeve të saj për reforma si dhe për t’iu afruar Bashkimit Europian, si dy vende të lidhura nga interesi i përbashkët për stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit të tij në BE. Me këtë rast, dëshiroj të ripohoj mbështetjen e Sllovenisë për procesin e zgjerimit edhe gjatë Kryesimit nga ana e saj të Këshillit të Bashkimit Europian!”

Kurse Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski thekson se: “Si aleatë në NATO, marrëdhëniet tona do të zhvillohen edhe më shumë. Së bashku jemi të përkushtuar për bashkim sa më të shpejtë me Bashkimin Europian!”

Në mesazhin e urimit të Presidentit të Austrisë, Van der Bellen shkruhet: “Shfrytëzoj me kënaqësi këtë mundësi për të përcjellë urimet më të mira për ju personalisht dhe për një të ardhme të lumtur të popullit shqiptar.”

Mbreti i Suedisë, Karl Gustaf R uron: “Me rastin e Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj urimet e mia të sinqerta e më të mira për shëndetin dhe lumturinë tuaj si dhe për begatinë e popullit shqiptar!”
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ndër të tjera thekson se: “Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë për sigurinë e Rajonit Balltik dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për integrim europian!”

Ndërsa në mesazhin e urimit të Presidentit të Çekisë Zeman, theksohet se: “Besoj fort se mirëkuptimi dhe miqësia e përbashkët mes dy vendeve do të vazhdojë të zhvillohet në interes të fuqizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me interesa reciproke.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re