Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda kritikoi me një gjuhë të ashpër bisedimet e liderëve të Francës dhe Gjermanisë për luftën në Ukrainë me presidentin rus Vladimir Putin.

Në një intervistë për gazetën “Bild” Duda tha: “Jam i habitur nga të gjitha bisedimet aktuale të zhvilluara me Putinin. Kryesisht ato që janë zhvilluar nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës Emmanuel Macron. Këto bisedime nuk prodhojnë asgjë. Vetëm shkaktojnë që të legjitimohen ato që bën Putini. Ushtria ruse është përgjegjëse për krimet që ka kryer në Ukrainë”.

“A ka folur dikush kështu me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore? Apo që duhet të shpëtohet reputacioni i Hitlerit ose që nuk duhet të veprojmë për të mos poshtëruar Hitlerin? Nuk kam dëgjuar kurrë zëra të tillë”, tha presidenti polak.

Duke vënë theksin mbi rëndësinë e mbrojtjes së Ukrainës, Duda tha se “Duhet të bëjmë gjithçka për të ndalur Rusinë imperialiste. Duhet të ndihmojmë me çdo mënyrë të mundshme ukrainasit. Shpresa jonë më e madhe është që imperializmi rus të thyejë dhëmbët në Ukrainë. Ndërkohë që duhet të forcohemi aq shumë gjatë kësaj, saqë të mos ketë më guximin të na sulmojë”.

Edhe kryeministri polak, Mateusz Morawiecki e cilësoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin si “më të rrezikshëm se Adolf Hitleri dhe Joseph Stalini”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se “Rusia nuk duhet të poshtërohet” në mënyrë që të ndërtohet një rrugëdalje nga kanalet diplomatike kur të përfundojë lufta Rusi-Ukrainë.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, reagoi ndaj thirrjes së Macronit për të “mos poshtëruar” Rusinë dhe kundërshtoi thirrjen e presidentit francez ndaj Perëndimit që mos trajtojnë Rusinë me frymën e “poshtërimit”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re