Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda deklaroi se nuk kanë prova të qarta se kush e ka lëshuar raketën ku humbën jetën 2 persona në fshatin Przewodow të vendit të tij në kufi me Ukrainën.

“Inspektorët do ta zbardhin këtë çështje. Me shumë mundësi ishte një raketë e prodhimit rus, por aktualisht të gjitha këto po hetohen”, tha Duda.

Ai tha se gjatë natës ka zhvilluar një sërë bisedash telefonike me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stontelberg, kryeministrin britanik, Rishi Sunak, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Duke nënvizuar se Biden i ka premtuar mbështetje në çështjen e hetimit, Duda tha: “E dimë shumë mirë se sulmi me raketa nga Rusia drejt Ukrainës ka vazhduar pothuajse gjithë ditën, por momentalisht nuk kemi prova të qarta se kush e ka lëshuar raketën. Hetimi vazhdon. Inspektorët do ta zbardhin këtë çështje. Me shumë mundësi, ishte një raketë e prodhimit rus, por aktualisht të gjitha këto po hetohen”.

Presidenti polak tha se po veprojnë me qetësi, kujdes dhe në “mënyrë serioze”. “Kërkoj që të gjithë të jenë të qetë. Ushtarët polakë janë në terren. Për ne ka mbështetje aleate. Ka mbështetje kategorike të angazhimeve nga të gjithë aleatët ndaj nesh. Ne po punojmë”, tha ai.

Dje në fshatin Przewodow të Polonisë që ndodhet në kufi me Ukrainën u njoftua se ra një raketë, burimi i së cilës nuk dihet dhe si pasojë humbën jetën 2 persona.

Pas kësaj, Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Polonisë zhvilloi mbledhje urgjente dhe u mor vendimi të “rritet gjendja e gatishmërisë për luftë e njësive ushtarake”.

Shumë vende të NATO-s deklaruan se zhvillimi është shqetësues, se ngjarja duhet të shqyrtohet me të gjitha dimensionet e saj dhe se shumë detaje duhet të zbardhen.

Duda ka njoftuar se Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka vendosur të mblidhet sot në orën 12:00.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re