Presidenti polak, Andrzej Duda deklaroi se në samitin e ardhshëm NATO duhet të marrë masa për sigurinë e Ukrainës. Ky samit do të mbahet në korrik të këtij viti, në Lituani.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po viziton Poloninë fqinje, një nga aleatët më të ngushtë të Kievit, për të nënshkruar marrëveshje dypalëshe.

 

“Unë besoj se drejtimi perëndimor i aktivitetit ekonomik të Ukrainës do të ruhet. Ne mbështesim angazhimin e Ukrainës për anëtarësim në BE dhe NATO,” tha Duda gjatë një konference të përbashkët shtypi me Zelensky në Varshavë. “Gjatë samitit të Vilniusit, ne duam të marrim garanci sigurie për Ukrainën.” 

 

Ai e konsideroi Poloninë si aleaten më të madhe të Ukrainës, gjë e cila sipas tij reflektohet dhe nga shifrat.

 

“Polonia është aktualisht partneri më i madh ekonomik i Ukrainës. Këto të dhëna tregojnë qartë se qarkullimi më i madh ndërkombëtar është aktualisht midis Polonisë dhe Ukrainës, kjo lidhet me situatën aktuale dhe ndryshimin e përgjithshëm që drejtimi lindor është mbyllur plotësisht për Ukrainën. Jam i bindur se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen, se Ukraina do të bashkëpunojë me Perëndimin si pjesë e Komunitetit, si pjesë e Bashkimit Evropian”, shtoi Duda.

 

Sipas të dhënave të Bankës Botërore 2020, viti më i fundit për të cilin kishte të dhëna, partneri i dytë më i madh tregtar i Ukrainës ishte Polonia.

 

“Ne besojmë thellësisht se së bashku do ta rindërtojmë Ukrainën më të bukur se dikur”, shtoi Duda. “Gjithçka do të jetë e re, një e ardhme krejt e re.” 

 

Ai tha gjithashtu se Polonia po dorëzon katër avionë luftarakë MiG-29 në Ukrainë, përveç katër që ka dhënë tashmë në muajt e fundit.

 

“Katër MiG-29 i janë dorëzuar Ukrainës në muajt e fundit. Katër të tjerë po dorëzohen tani. Ne jemi ende gati të dorëzojmë gjashtë avionë të tjerë”, tha Duda, duke vënë në dukje gjithashtu se Polonia ka dhënë më shumë se 300 tanke si dhe pajisje të tjera ushtarake për Ukrainën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re