Presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë në Beograd, i cili është pritur në aeroport nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

 

Serbia e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan lidhjet e ngushta me Rusinë, aleaten e saj sllave dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë lidhur me Ukrainën dhe është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s.

 

Presidentit rus, nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall njëmbëdhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

 

Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

 

Ndërkohë presidenti serb në fjalën e tij është shprehur se një pjesë e mirë e bisedimeve me presidentin rus do t’i kushtohet pikërisht çështjes së Kosovës. Një nga pikat e diskutimeve pritet të jetë edhe një qendër e emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re