Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në Samitin e G20 i cili do të mbahet javën e ardhshme në Bali të Indonezisë.

Një nga zyrtarët e Samitit G20, Luhut Binsar Pandjaitan në një deklaratë për gazetarët në qytetin Denpasar të Indonezisë, tha se në samitin në fjalë delegacioni rus do të kryesohet nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe liderë të tjerë botërorë do të marrin pjesë në samitin dy-ditorë që do të fillojë më 15 nëntor në Bali.

Me rastin e samitit G20, parashikohej që Biden dhe Putin do të ndodheshin për herë të parë pranë njëri-tjetrit që nga lufta që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt, por me njoftimin se presidenti rus nuk do të marrë pjesë në takim, u bllokua edhe rruga e tensionit të mundshëm mes Putinit dhe presidentit të SHBA-së, Biden dhe aleatëve të tij.

Pandjaitan i cili në të njëjtën kohë ka edhe detyrën e ministrit të Detarisë dhe Koordinimit të Investimeve deklaroi se “Qeveria e Indonezisë respekton vendimin e qeverisë ruse, duke shpjeguar se më parë presidenti Putin ka zhvilluar bisedë telefonike shumë miqësore me presidentin Joko Widodo”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re