Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se situata në Rripin e Gazës është një “katastrofë humanitare”.

Duke folur në Moskë me përfaqësuesit e feve të ndryshme, Putin tha se “njerëzit e pafajshëm nuk duhet të paguajnë për krimet e kryera nga të tjerët”.

Ai kundërshtoi parimin e “përgjegjësisë kolektive”, duke theksuar se në këtë rast të moshuarit, gratë, fëmijët dhe familje të tëra vdesin.

Putin përsëriti qëndrimin e Rusisë mbi zgjidhjen me dy shtete të krizës Izrael-Palestinë, duke argumentuar se “ky është çelësi për një zgjidhje dhe paqe afatgjate dhe themelore në Lindjen e Mesme”.

“Detyra kryesore është ndalimi i gjakderdhjes dhe dhunës. Përndryshe, zgjerimi i mëtejshëm i krizës është i mbushur me pasoja të rënda dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, shkatërruese dhe jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo mund të derdhet shumë përtej kufijve të Lindjes së Mesme”, paralajmëroi Putin.

Ai i dënoi përpjekjet e “disa forcave” për të luajtur me ndjenjat fetare dhe kombëtare për të krijuar paqëndrueshmëri dhe kaos për “interesat e tyre venale”.

“Muslimanët nxiten kundër hebrenjve. Shiitët nxiten kundër sunitëve, ortodoksëve, kundër katolikëve. Në Evropë ata mbyllin sytë ndaj blasfemisë dhe vandalizmit kundër asaj që është e shenjtë për muslimanët. Në disa vende, kriminelët nazistë… glarifikohen hapur në nivel zyrtar”, tha Putin.

Më tej, ai theksoi se Ukraina po ndërmerr hapa për të ndaluar Kishën Ortodokse kanonike dhe për të thelluar përçarjen e kishës.

“Për mendimin tim, qëllimi i të gjitha këtyre veprimeve është i qartë, të shumëfishojnë paqëndrueshmërinë, të provokojnë një konflikt qytetërimesh, të gjitha sipas parimit të mirënjohur ‘përça dhe sundo’. Flitet për një ‘rend të ri botëror’, thelbi i të cilit në të vërtetë është i njëjti, hipokrizia, standardet e dyfishta, pretendimet për ekskluzivitet, për dominim global, për të ruajtur sistemin në thelb neokolonial”, tha presidenti rus.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re