Kreu i Shtetit Bajram Begaj ka pritur sot në Presidencë në një takim kryeparlamentarin e Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.

Fokus i takimit ishin marrëdhëniet politike mes dy vendeve, procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, intensifikimi i raporteve ekonomike, rritja e shkëmbimeve tregtare, si dhe ngritja e infrastrukturës në ndihmë të këtij procesi.

Presidenti Begaj falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e Shqipërisë për integrimin në BE, për nismat e përbashkëta multilaterale, për kontributin me trupa ushtarake në KFOR, si dhe theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve ekonomike në nivelin e atyre politike.

Presidenti Begaj u shpreh se përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje do të rrisinshkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet.

“Përshpejtimi i ndërtimit të korridorit të tetë, si edhe nisja e fluturimeve në fund të këtij viti të linjës direkte ajrore Tiranë-Sofje, do të rrisin, pa dyshim, shkëmbimet tregtare dhe turizmin në të dyja vendet”, tha Kreu i Shtetit, duke shtuar se “Ne e konsiderojmë të një rëndësie strategjike Korridorin 8 dhe po punojmë shumë fort që të përmbyllet sa më shpejt. Rruga është zhvillim, dhe ky korridor do të sjellë zhvillimin për të gjithë rajonin tonë”.

Presidenti Begaj theksoi se situata aktuale në rajon kërkon mirëkuptim, bashkëpunim dhe tejkalim të politikave të së shkuarës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e plotë Eruro-Atlantik të tij.

“Shqiptarët janë një popull që kanë luftuar për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe e dinë që çmimi i lirisë është i pamatë, ndaj shqiptarët në rajon kanë qenë dhe janë paqedashës dhe faktor stabiliteti”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Begaj siguroi se të drejtat e minoritetit bullgar në Shqipëri janë të garantuara dhe se në censusin e kryer është siguruar vullneti i lirë i vetëdeklarimit nëpërmjet një procesi të drejtë e transparent.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re