Presidenti Amerikan Donald Trump priti (dje të martën) në Shtëpinë e Bardhë, Emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani. Ai e vlerësoi atë “një mik i mrekullueshëm i imi dhe ne punojmë mirë sëbashku”.

Presidenti Trump konfirmoi se marrëdhëniet e vendit të tij me Dohan ecin në mënyrë të shkëlqyer, dhe vlerësoi përpjekjet e Katarit dhe Emirit të tij për ruajtjen e unitetit të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Nga ana e tij, Emiri i Katarit tha se marrëdhëniet “e forta” mes Katarit dhe Shteteve të Bashkuara datojnë prej më shumë se dyzet vitesh, dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak mes dy vendeve. Sheikh Tamim falenderoi Presidentin Trump për angazhimin e tij personal në zgjidhjen e krizës së Gjirit dhe për mbështetjen që i dha Katarit gjatë periudhës së bllokadës.

“Dua të falënderoj zotin President (Trump) për përfshirjen e tij personale për zgjidhjen e krizës së Gjirit. Ai luajti një rol katalizator dhe na mbështeti gjatë bllokadës. Gjithashtu dua të falënderoj popullin amerikan për mbështetjen e tij të rëndësishme në zgjidhjen e krizës së rajonit tonë”, tha Emiri.

Sa i përket luftës kundër terrorizmit, Presidenti Amerikan tha se ai është duke punuar me të gjitha vendet aleate në këtë drejtim, përfshirë Shtetin e Katarit ku ndodhet baza më e madhe ushtarake ajrore amerikane në rajon, e cila luan rol të rëndësishëm në këtë luftë.

Në këtë kontekst, Emiri i Katarit i konsideroi misionet antiterrorizëm që nisen nga baza Al Udeid (Katar) si “shumë të suksesshme”, dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Dohas për bashkëpunim me Uashingtonin në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar se Katari nuk i pranon apo toleron ata që mbështesin dhe financojnë terrorizmin.

Sheikh Tamim Al Thani gjatë fjalës së tij përmendi edhe krizën siriane: “Sot që flasim, ne vazhdojmë të shohim tragjedinë e popullit sirian. Unë dhe Presidenti (Trump) pajtohemi se kjo gjë duhet të ndalet menjëherë… nuk mund të tolerohet me “kriminel lufte” që ka vrarë rreth gjysmë milion njerëz nga populli i tij – tha ai.

Emiri i Katarit po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara që nga e premtja e kaluar, ku u takua me shumë zyrtarë amerikanë, si Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis (në selinë e Departamentit të Mbrojtjes në Virxhinia), i cili theksoi se çka përballet me Katarin në rajon përballet me Shtetet e Bashkuara. Ai vuri në dukje se shteti Katarit mbështet paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në luftën kundër terrorizmit nëpërmjet bazës “Al Udeid”.

Roli i Katarit në luftën kundër terrorizmit u vlerësua gjithashtu nga shefi i komandës qendrore të SHBA-së Gjenerali Votel, i cili falënderoi Sheikh Tamim Al Thani për bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Emiri i Katarit nënvizoi gjatë këtyre takimeve marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve dhe diskutoi me zyrtarët e SHBA një sërë çështjesh aktuale, veçanërisht çështjen bërthamore iraniane, situatën në Siri dhe krizën e Gjirit.

Vizita e Emirit të Katarit pati një jehonë të madhe në mediat amerikane. New York Times shkroi se Katari “duket se po shkon drejt një fitoreje të rëndësishme në lidhje me krizën e Gjirit”. Gazeta citoi një zyrtar të lartë në administratën e Trump – pa zbuluar identitetin e tij – të thotë se “Presidenti beson se ai që po pengon zgjidhjen e krizës, nuk është Katari por princi i kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed”, shkruan syri.net. “The Washington Post” dhe “New York Times” e vlerësuan (të martën) këtë vizitë si të susksesshme, pasi zyrtarët amerikanë raportuan se Trump është i angazhuar për ti dhënë fund krizës së Gjirit, sepse ajo pengon përqendrimin e vëmendjes mbi konfliktet e dhunshme në rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re