Skip to content

Presidenti tunizian: Nuk ka vend për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied pas ndërhyrjes së ashpër të policisë në demonstratat që bënë thirrje për ndriçimin e vrasjeve të fundit politike tha se “nuk ka vend për shkelje të të drejtave dhe lirive” dhe se “ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë”.

Në deklaratën e Presidencës thuhet se Said priti drejtuesit e organizatave joqeveritare si Shoqata e Avokatëve Tunizianë dhe Shoqata Tuniziane e të Drejtave të Njeriut në Pallatin Carthage të kryeqytetit Tunis.

Gjatë takimit, gjithashtu u diskutuan protestat në kryeqytet të mërkurën, duke kërkuar sqarimin e vrasjeve politike në historinë e afërt të vendit.

Duke iu referuar ndërhyrjes së ashpër të policisë kundër demonstruesve, Saied tha se “Nuk do të ketë asnjë vendim tjetër përveç vullnetit të popullit në Tunizi. Tunizia i përket të gjithë tunizianëve. Të gjithë qytetarët tunizianë kanë të drejtën e punës, lirisë dhe nderit kombëtar”.

“Ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. Nuk ka vend për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Ne kurrë nuk do ta pranojmë këtë. Nëse ka shkelje, vendi për të parë këtë është ligji. Megjithatë, nëse ka nga ata që duan të provokojnë, ne nuk do të provokojmë, do të përgjigjemi me ligj”, tha Saied.

Çfarë ndodhi në Tunizi?

Në Tunizi, vendlindja e “Pranverës Arabe”, më 25 korrik tunizianët dolën në rrugë masivisht për shkak të krizës sociale, ekonomike, politike dhe krizës shëndetësore që kishte dalë nga kontrolli ku demonstratat vazhduan në intervale të rregullta dhe me intensitet të ndryshëm.

Presidenti Saied njoftoi se ai kishte zbatuar nenin 80 të Kushtetutës, i cili i dha atij kompetenca të jashtëzakonshme kur vendi ishte në rrezik.

Said tha se ka pezulluar punën e Parlamentit për 30 ditë ka hequr imunitetin e të gjithë deputetëve, ka shkarkuar kryeministrin. Ai do të emërojë një kryeministër të ri dhe ka emëruar veten si shef prokuror për rastet e korrupsionit.

Disa pjesë të vendit mbështetën vendimin e Saied. Shumica e partive në Parlament deklaruan se presidenti “shkelte Kushtetutën” me këto vendime ndërsa disa pjesë e përshkruan procesin si një “përpjekje për grusht shteti kushtetues”.

Pas heqjes së imunitetit të tyre në Tunizi, disa deputetë u thirrën për hetim, disa u arrestuan dhe u lëshuan urdhra arresti shtëpiak për disa persona, përfshirë burokratë të lartë.

Said pas skadimit të periudhës njëmujore tha se vendimet mbi të cilat ai mori kompetenca të jashtëzakonshme, përfshirë pezullimin e punës së Parlamentit u zgjatën “pa afat të caktuar”.