Presidenti tunizian, Kais Saied, tha se po punojnë për të arritur qëllimet e ligjit islam në Kushtetutën e re.

Presidenti Saied, i cili erdhi në aeroportin e Kartagjenës për t’i dhënë lamtumirën autokolonës së parë të haxhilerëve nga Tunizia për në Arabinë Saudite, bëri një deklaratë për shtypin.

Duke thënë se Islami ka të bëjë me njerëzit dhe se shteti po punon për të realizuar qëllimet e fesë islame, Saied tha: “Ne po punojmë për të realizuar qëllimet e ligjit islam në Kushtetutën e re. Ne nuk po flasim për një shtet feja e të cilit është Islami në Kushtetutë, por një umet feja e të cilit është Islami”.

Duke theksuar se tipari kryesor i Kushtetutës së re është uniteti i shtetit, Saied argumentoi se Kushtetuta e përgatitur në vitin 2014 nuk e siguronte këtë.

Saied tha se elementi më i rëndësishëm në realizimin e demokracisë është krijimi i një ekuilibri midis pushteteve dhe gjithashtu përgjigjja ndaj kërkesave ekonomike dhe sociale të tunizianëve.

Debati për Kushtetutën e Re

Sadek Belaid, profesor i së Drejtës Kushtetuese dhe Kryetar i Komitetit Konsultativ Kombëtar, i cili ishte ngarkuar me hartimin e Kushtetutës në Tunizi, deklaroi në fillim të këtij muaji se neni “Feja e shtetit është Islami” nuk do të përfshihet në Kushtetutën e re.

Duke reaguar ndaj kësaj, Lëvizja Nahda nënvizoi se identiteti arab dhe islam janë në themel të shtetit dhe i cilësoi ndryshimet e planifikuara kushtetuese si “një përpjekje për të shkatërruar vlerat e pandryshueshme të popullit”.

Komiteti Konsultativ Kombëtar i prezantoi dje presidentit Saied projekt-kushtetutën e përgatitur.

Në deklaratën e Presidencës së Tunizisë, thuhej se drafti i dorëzuar nuk ishte përfundimtar dhe disa pjesë do të shqyrtoheshin.

Kriza politike në Tunizi

Vendimet e jashtëzakonshme të shpallura nga presidenti tunizian Saied më 25 korrik 2021 çuan në një “situatë të jashtëzakonshme” në vend.

Saied, i cili ngriu punën e parlamentit dhe hoqi imunitetin parlamentar, zgjeroi kompetencat e tij me dekrete të reja më 22 shtator 2021 dhe e lidhi tek vetja plotësisht pushtetin ekzekutiv.

Me “udhërrëfyesin e daljes nga kriza politike” të shpallur më 13 dhjetor 2021, Saied njoftoi se më 25 korrik 2022 do të mbahet referendumi për ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme do të mbahen më 17 dhjetor 2022.

Disa qarqe në Tunizi i përshkruajnë vendimet e Saied-it si “grusht shteti” dhe argumentojnë se vendi po largohet nga demokracia.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re