Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, ka deklaruar se Tunizia është e prirur të rifillojë rrugën e marrëdhënieve normale dypalëshe me Sirinë.

Presidenca e Tunizisë njoftoi se në një takim në Tunis me ministrin sirian të Punëve të Jashtme, Faisal Mekdad, presidenti Saied tha se vendi i tij është i vendosur të ruajë “lidhjet e forta dhe historike të vëllazërisë dhe bashkëpunimit që lidhin Tunizinë dhe Sirinë”.

Mekdad, nga ana e tij, vendimin e presidentit tunizian për të rifilluar lidhjet me Sirinë e përshkroi “të guximshëm”.

“Ne në Siri jemi shumë të kënaqur me marrëdhëniet që lidhin vendet tona”, tha Mekdad.

Ai shtoi se ambasada sirianë në Tunizi do të rihapet në ditët në vijim, duke shtuar se ambasadori i ri sirian së shpejti do të rifillojë punën e tij në Tunizi.

Dje, Mekdad mbërriti në Tunizi për një vizitë 3-ditore, e para nga një zyrtar sirian në këtë vend të Afrikës Veriore që kur vendet ndërprenë marrëdhëniet e tyre në vitin 2011 për shkak të shtypjes brutale të regjimit të Bashar al-Assadit ndaj protestave pro-demokratike.

Muajve të fundit, regjimi sirian filloi të shkëmbejë vizita dhe kontakte zyrtare me disa vende arabe mes raporteve për një rifillim të mundshëm të anëtarësimit të Sirisë në Ligën Arabe me bazë në Kajro, nga e cila u largua në vitin 2011.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re