Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, pas raportimeve për vrasje masive në qytetin Bucha ka deklaruar se sanksionet kundër Rusisë duhet të jenë “proporcionale” me gravitetin e “krimeve të saj të luftës”.

Duke iu adresuar vendit të tij në një video të postuar në kanalin e tij në Telegram, Zelenskyy tha se “po përgatisim një paketë të re të sanksioneve të fuqishme kundër Rusisë për gjithçka që i ka bërë popullit tonë”.

Duke theksuar se ky është një “moment vendimtar”, veçanërisht për vendet perëndimore, Zelenskyy tha se, “Pas asaj që pa bota në Bucha, sanksionet kundër Rusisë duhet të jenë proporcionale me gravitetin e krimeve të luftës të pushtuesve. Nëse pas kësaj bankat ruse do të funksionojnë si zakonisht, nëse pas kësaj vendet e BE-së do të paguajnë burimet ruse të energjisë si zakonisht, atëherë fati politik i disa liderëve nuk do të zhvillohet si zakonisht”.

Duke e përshkruar kryeqytetin ukrainas Kiev si “kryeqyteti i luftës për liri për të gjithë kontinentin evropian”, Zelenskyy tha se “situata më e vështirë, si në ditët e mëparshme, është në Donbas, në drejtim të Kharkiv-it”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se pushtuesit janë më të shumtë në numër dhe se ata kanë më shumë pajisje. Por ne nuk kemi zgjidhje tjetër, fati i tokës dhe popullit tonë është vendosur. Ne e dimë se për çfarë po luftojmë dhe ne bëjmë gjithçka për të fituar”, theksoi presidenti ukrainas.

Lufta Rusi-Ukrainë, që filloi më 24 shkurt, ka tërhequr zemërim ndërkombëtar, me ndër të tjera Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.480 civilë kanë humbur jetën dhe rreth 2.200 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës në Ukrainë, megjithëse shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 4,2 milionë ukrainasë gjithashtu kanë ikur jashtë vendit, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko