Skip to content

Presidenti ukrainas Zelensky i bën thirrje Putinit për “negociata”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje për “negociata” presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Zelensky nëpërmjet një video-mesazhi të postuar nga media sociale bëri vlerësime dhe i bëri thirrje presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Dua t’i bëj edhe një herë thirrje presidentit të Rusisë se në të gjithë Ukrainën po bëhet luftë. Të ulemi në tryezën e negociatave për të ndalur vdekjet”, tha Zelensky.

Më pas ai iu drejtua Forcave të Armatosura të Ukrainës duke theksuar: “Qëndroni të fortë, ju jeni e vetmja gjë që kemi, jeni gjëja e vetme që mbron shtetin tonë. Rroftë Ukraina”.

“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk është vetëm një pushtim, por fillimi i një lufte kundër Evropës”, tha Zelensky i cili shtoi se kjo situatë është në kundërshtim me parimet e Bashkimit Evropian dhe të gjithë kontinentit.

Duke bërë të ditur se situata në vendin e tij rikujton Luftën e Dytë Botërore, Zelensky tha: “Jam i sigurt se të gjithë e shikoni, e gjithë Evropa e shikon. Por, ne nuk e shikojmë se ju do të bëni ndonjë gjë. Derisa ndihmoni Ukrainën kaq ngadalë si do ta ruani veten tuaj?”.

Ai tha se është i kënaqur me sanksionet sektoriale të Perëndimit kundër Rusisë. Presidenti ukrainas njoftoi se tanket ruse ende godasin vendbanimet dhe se automjetet e blinduara vazhdojnë të sulmojnë, përfshirë edhe civilët.

Zelensky potencon se Evropa ka fuqinë për të ndalur këtë agresivitet. “Çfarë presim më shumë nga shtetet evropiane? Presim anulimin e vizave ndaj rusëve, largimin e tyre nga sistemi SWIFT, izolim të plotë ndaj Rusisë, tërheqjen e ambasadorëve, embargo të naftës, mbylljen e hapësirave ajrore. Të gjitha këto sot duhet të jenë në tryezë, sepse ky është një kërcënim për të gjithë ne, për të gjithë Evropën”, tha ai.