Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic në një bisedë telefonike me kancelaren Angela Merkel ka kërkuar ndihmën e Gjermanisë që Kosova të heqë dorë nga tarifat 100% ndaj mallrave serbe. Sipas njoftimit të presidencës, Vucic ka folur më tej për bllokimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për raportet dypalëshe si dhe situatën në rajon.

 

Vuçiç gjithashtu është zotuar se Serbia do te vazhdoje te jete plotësisht e angazhuar për vijimin e dialogut me qëllim ruajtjen e stabilitetit në rajon përmes një zgjidhje kompromisi të pranueshme për të dyja palët. Megjithatë ai ka përsëritur se Prishtina duhet të heqë taksat ndaj mallrave serbe pasi ky hap është i domosdoshëm për tejkalimin e ngërçit.

 

Por një ditë më parë, nga forumi i Bratislavës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u tregua i prerë në qëndrimin e tij se bisedimet duhet të vazhdojnë pa kushte. Thaçi e Vuçiç pritet të kryesojnë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të takimit të organizuar në 1 korrik në Paris nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, me qëllim nxitjen e procesit të dialogut.