VALENTINA MADANI/ Në emër të grupit parlamentar të mazhorancës, Bledi Çuçi tërhoqi dje nga rendi i ditës i seancës plenare projektligjin për “Lojërat e Fatit” në mënyrë të pashpjegueshme.

 

Madje, drafti u tërhoq nga rendi i ditës pa caktuar një datë tjetër për votimin e tij. Kjo është hera e dytë që socialistët tërhiqen nën presionin e kompanive të basteve. Por socialistët nuk dhanë arsyet e tërheqjes së projektligjit nga rendi i ditës së punimeve të kuvendit. Në seancën e djeshme në Parlament pritej të miratohej rikthimi i basteve ‘online’ në telefon, kompjuter dhe çdo pajisje “smart”.

Por deputetët socialistë u tërheqë nga nisma në fjalë. Pa dhënë shpjegime, pa shprehur asnjë arsyetim në publik, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se socialistët kishin kërkuar tërheqjen e projektligjit nga diskutimi. Për pasojë, votimi u anulua. Ligji i ri ka disa kritere për kalimin e biznesit në legal, që nga financat rezervë, eksperienca e mëparshme e këtyre kompanive dhe certifikata e pastër penale e pronarëve.

Duke qenë i ndërgjegjshëm për lidhjet e grupeve kriminale me biznesin e kumarit, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe propozoi edhe një përfaqësi të SPAK në komisionin e dhënies së licencave. Sipas Braçes, prania e SPAK në kontrollin e kazinove dhe të basteve duhet të jetë e njëjtë me kontrollin që u bëhet politikës.

“Po sikur këtë sistem shtrëngues të verifikimit të të ardhurave për këta që do të organizojnë lojërat e fatit ka ndonjë problem? Ky sistemi i kontrollit për çdo qeveritar, deputet e kështu me radhë ka ndonjë problem? A ka mundësi që miratimin përfundimtar ta japë SPAK. Më ka rënë në vesh që miratimin e fundit të kazinove e jep FBI”, ishte propozimi i Erjon Braçes.

Më herët, Braçe kishte paralajmëruar se elementë kriminalë do të tentojnë të zgjasin duart drejt kumarit, ndaj zgjidhja më e mirë sipas tij do të ishte menaxhimi i të gjithë infrastrukturës nga shteti. Për më tepër, sipas tij, taksat mbi këtë biznes duhet të ishin më të larta. Të gjitha propozimet e Braçes janë hedhur poshtë nga kolegët socialistë. Qeveria “Rama 3” vendosi të rikthejë bastet sportive 5 vite pasi i mbylli ato me ligj dhe ndërmori një aksion me emrin “Fundi i marrëzisë”, ndërkohë që aktiviteti lulëzoi në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë këtyre viteve.

Qeveria pranoi se kishte dështuar të kontrollonte aktivitetin e paligjshëm, duke sjellë një ligj që synonte të rikthente në shinat ligjore këtë aktivitet. Pavarësisht kundërshtimit të tij nga opozita, aktorëve të tjerë të sektorit të lojërave të fatit dhe rezervave të deputetëve socialistë, projektligji u miratua në komisionin përgjegjës duke ndryshuar draftin fillestar të ardhur nga qeveria. Drafti final parashikon vendosjen e kritereve kushtëzuese për të marrë pjesë në garë, duke caktuar kuotën limit 30 për qind të aksioneve për aksionerët e huaj në kompanitë konkurruese, si dhe mekanizmin e ankandit për të përzgjedhur fituesit.

Deputetët vendosën që të sanksionojnë përjashtimin e organizatorëve të “Basteve sportive online” nga sponsorizimi i skuadrave sportive, si dhe hoqën nga anëtarësia e Komisionit për dhënien e Licencave, Presidentin e Federatës Kombëtare të Futbollit dhe Presidentin e Komitetit Olimpik.

Një pikë e re u shtua në lidhje me kontrollin e shtetit mbi veprimtarinë e kompanisë koncesionare që ka ndërtuar dhe mirëmban sistemin qendror të monitorimit ‘online’. Ky kontroll do të bëhet nga komisioni i licencave nëpërmjet auditimit. Ndryshime u bënë dhe në nenet për normën e fitimit të lojtarëve të lotarive kombëtare që nga 80 për qind u ul në “jo më pak se 50 për qind”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re