Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit ngriti shqetësimin për marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Greqinë. Sipas tij nga ana e autoriteteve greke nuk po bëhet asnjë hap në këtë drejtim.
Braçe u shpreh se kjo tashmë nuk është vetëm çështje e qeverisë, por edhe e Parlamentit, pasi duhet të diskutohet në Komisionet Parlamentare, me qëllim që presion mbi Greqinë të arrijë në maksimum.
“Javës që shkoi ishte Zvicra që njoftoi se është në prag të marrëveshjes së sigurimeve shoqërore. E vetmja që nuk bën asnjë hap është Greqia, edhe pse shqiptarët që jetojnë atje kanë kontribuar për ekonominë greke. Ata presin e presin që të përfitojnë nga një marrëveshje.
Unë mendoj që kjo nuk mund të jetë çështje qe qeverisë, por është themelore për të kuptuar që duhet të bëhet çështje e parlamentit, e komisioneve parlamentare, nga i jashtmi te i ekonomisë e me radhë me qëllim që presioni mbi autoritetet greke të arrijë në maksimum për të marrë atë që ju takon punëtorëve shqiptarë”, tha Braçe.