Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse akuzoi të mërkurën industrinë serbe të mbrojtjes për furnizimin e sasive të mëdha të municioneve në Ukrainë, pavarësisht neutralitetit zyrtar të Beogradit në luftë.
Sipas deklaratës së SVR, dërgesat po kryhen përmes një rrjeti sekret ndërkombëtar, duke përdorur certifikata të rreme të përdoruesit fundor dhe vende ndërmjetëse, duke përfshirë anëtarë të NATO-s si Republika Çeke, Polonia dhe Bullgaria, ndërsa disa vende afrikane dyshohet se janë gjithashtu të përfshira në zinxhir.
“Kontributi i industrisë serbe të mbrojtjes në luftën e nisur nga Perëndimi reflektohet në qindra mijëra predha për raketahedhës të shumëfishtë dhe obusë, si dhe më shumë se një milion plumba për armë të lehta”, thuhet në deklaratën e SVR.
Shërbimi rus pretendon se disa nga kompanitë më të mëdha shtetërore dhe private serbe të mbrojtjes janë të përfshira në skemë, duke përfshirë Yugoimport SDPR, Krusik, Sloboda, Prvi Partizan, Zenitprom, Reyer DTI dhe Sofag, raporton Anadolu.
Moska i ka karakterizuar dërgesat e dyshuara të armëve si një “thikë pas shpine“, duke kujtuar lidhjet tradicionalisht të ngushta midis dy vendeve.
Vuçiç: Serbia dhe Rusia me grup pune
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha duke reaguar se Beogradi dhe Moska kanë formuar një grup pune dhe se ai e kishte diskutuar këtë temë edhe me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne kemi formuar një grup pune, së bashku me partnerët tanë rusë, për të përcaktuar faktet. Disa nga gjërat që u thanë në të nuk janë të vërteta”, tha ai.
Siç deklaroi ai, “për shembull, ata thonë saktë se ka një kontratë me Republikën Çeke“, por, siç tha ai, “nuk u dha asnjë leje dhe asnjë nga raketat nuk u dorëzua”.
Vuçiç më parë ka mohuar dërgesat direkte të armëve në Ukrainë ose Rusi, por ka pranuar se armët e prodhuara në Serbi që shiten në vende të treta mund të përfundojnë në fushën e betejës ukrainase.
Akuzat e SVR vijnë në një kohë të rritjes së kontrollit ndërkombëtar të fluksit të armëve në Ukrainë dhe marrëdhënieve diplomatike gjithnjë e më të tensionuara midis Beogradit dhe Moskës. /tesheshi.com/