Deputeti i Partisë Demokratike zyrtare, Kreshnik Çollaku në një komunikim për mediat pas përfundimit të seancës planare, ka folur edhe për kërkesat e “Rithemelimit” për përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Çollaku tha se ky është një pretendim i pandershëm nga kolegët e tyre, pasi nëse një gjë e tillë do të miratohej, kjo do të bënte që Partia Demokratike të asgjësohej.

“Pretendimi, i cili ka lidhje me përbërjen e Reformës Zgjedhore, është një pretendim i pandershëm nga kolegët tanë.

Nëse kjo do të pranohej, kjo do të asgjësonte nga Komisioni i Reformës Zgjedhore Partinë Demokratike.

Në komision të Reformës Zgjedhore janë vende dhe ka gjithëpërfshirje. Jemi krejtësisht të hapur që me kolegët  e opozitës.

Ne do të mbështesim, listat e hapura, votën e diasporës, votim elektronik dhe zonat një-emërore. Nëse kanë propozime të tjera ne jemi gati për të diskutuar. Beteja ulu prift e ule hoxhë nuk sjell asgjë” u shpreh ai.

Bashkimi i PD

Prej dy vitesh Partia Demokratike është e ndarë në disa fraksione dhe një bashkim i saj do të vinte sipas Çollakut vetëm nëse do të ketë arsye dhe logjikë nga secili dhe të tejkalohen ambiciet personale.

“Unë mendoj që i vetmi mekanizëm është arsyeja dhe logjika dhe secili nga ne të tejkalojë ambiciet personale.

Koha nuk na lejon më ta vazhdojmë këtë gjë . Opozita ka interes ta ndryshojë këtë kod zgjedhor, ka interes të votojë diaspora, ka interes të ketë votim elektronik” përfundoi ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re